Kapiteni i Manchester City-it, Kyle Walker ka kërkuar të largohet nga “qytetarët”
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola tha se Walker ka kërkuar të largohet gjatë merkatos së janarit.
Walker u la jashtë skuadrës së Cityt për ndeshjen në FA Cup në raundin e tretë kundër Salfordit të Ligës së Dytë, edhe pse Guardiola kishte vetëm dy mbrojtës të ekipit të parë në formacionin e tij fillestar.
34-vjeçari anglez ka edhe 18 muaj të mbetura në kontratën e tij me Cityn.
Guardiola tha se kapiteni i Cityt shkoi të takonte drejtorin sportiv, Txiki Begiristain që t’i bënte të ditur dëshirën e tij për një aventurë të re jashtë Anglisë.
“Dy ditë më parë Kyle kërkoi të shqyrtonte opsionet e tij për të luajtur jashtë Anglisë”, tha Guardiola.
“Nuk e di cfarë do kishim bërë pa Kyle gjithë këto vite. Ai ka qenë mbrojtësi ynë i djathtë dhe ka bërë gjithçka për ne. Por tani, për shumë arsye, ai do të donte të eksploronte opsionet e tij jashtë Anglisë duke qenë se janë vitet e fundit të karrierës së tij ”, tha trajneri spanjoll.
I pyetur nëse Walker-it do t’i plotësohej dëshira, Guardiola u përgjigj: “Sigurisht”.
“Kjo nuk do të thotë se do të ndodhë sepse nuk i dihet kurrë çfarë ndodh. Por ne nuk do mbajmë lojtarë të cilët nuk duan të jenë pjesë e ekipit tonë sepse detyrimisht do ulet niveli i performancës së tyre”, përfundoi Guardiola.
Top Channel