Nxitimi për t’u kthyer në shtëpi një ditë para se të festonte ditëlindjen, i mori jetën një 20 vjeçari në autostradën Tiranë Durrës.
I riu Sabri Kreka renditet në bilancin e INSAT mes 188 personave që humbën jetën ose mbetën të plagosur nga 147 aksidente në muajin nëntor.
Nga ky bilanc përllogariten rreth 5 aksidente në ditë përgjatë muajit nëntor, megjithatë, shifrat flasin për një ulje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
INSTAT bën të ditur se nëntori i këtij viti, ka 20 aksidente më pak dhe 24 të aksidentuar ose të vdekur nga nëntori i 2023.
Pavarësisht kësaj uljeje të lehtë, për 11 mujorin, nga Janar- nëntor, aksidentet kanë pasur një rritje domethënese.
Gjatë kësaj periudhë janë shënuar 1517 aksidente, me rritje prej 34% në krahasim me 11 mujorin e një viti më parë, kur ndodhën gjithsej 1128 aksidente. Edhe të aksidentuarit janë me rritje prej 36%, duke u kaluar 2 mijë personat.
Sa i përket vdekshmërisë në aksidente, sipas INSTAT, gjatë periudhës Janar- Nëntor 2024 është 9,8 për 100 aksidente, nga 15,7 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore, në mbi 90% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç.
Top Channel