Të mbijetuarit e Spaçit rrëfejnë tmerrin gjatë viteve të dënimit! Ekspozohen dëshmi, ilustrime, botime dhe dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit

20/12/2024 21:00

Ilustrime, dëshmi, dokumentar dhe një faqe interneti me kryefjalën “Spaç”, u ekspozuan për herë të parë në Qendrën e Artit “Agimi” nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Të pranishëm në ekspozitë ishin të mbijetuar dhe familjarë të tyre. AIDSSH ka prodhuar 6 produkte  mediatike, tekst dhe audiovizuale në funksion të njohjes dhe edukimit, me ngjarje që lidhen me kampin-burg tē Spaçit, revoltën e ish- të burgosurve politikë, dënimet e ashpra, keqtrajtimet, punën e detyruar të papaguar.

Në aktivitet u prezantua libri “50 vjet nga revolta në burgun e Spaçit” një përmbledhje dëshmish autentike. Faqja web Spac.al, e cila shërben si një arkiv interaktiv mbi historinë e revoltës. Libra metodike dhe edukativë për nxënës të ciklit të mesëm të ulët dhe të lartë: “Dielli lind në Spaç” dhe “Spaçi, historia e një revolte”. Ekspozita me portrete dhe skica grafike, që sjellin në jetë kujtimet e ish-të dënuarve politikë dhe ngjarjen.

Dr. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive, ndriçimit të së kaluarës dhe shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kanë pasur guximin të përballen me padrejtësitë e regjimit dhe të rezistojnë në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Fuqia e kujtesës tuaj është një pasuri e pazëvendësueshme për shoqërinë tonë. Duke ndarë përvojat dhe dëshmitë tuaja, ju keni hapur dyer për t’u përballur me traumat e së kaluarës, duke krijuar një mundësi për kurim dhe reflektim për të gjithë ne. Kjo na ndihmon jo vetëm në nderimin e atyre që humbën jetën, por gjithashtu që shoqëria jonë të mësojë nga e kaluara për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe njerëzore. Pavarësisht përpjekjeve për të shëruar plagët e historisë, rruga për të kuptuar dhe përmbushur borxhin financiar, moral dhe ligjor që Shqipëria ka ndaj jush, mbetet ende e gjatë”.

Ish të dënuar politikë, të cilët përjetuan kampin-burg të Spaçit dhe revoltën historike, ndanë kujtimet e tyre me audiencën. Në vijim, u mbajt një minutë heshtje në nderim të Gëzim Çelës dhe Ylber Merdanit, ish-të dënuar politikë që kanë ndarë dëshmitë e tyre me AIDSSH, por nuk janë më mes nesh, ku u përcoll një mesazh prekës për jetën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të kujtesës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA