Shifrat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës flasin qartë: Pothuajse një në katër të punësuar në Europë është emigrant.
Faktori kryesor për mungesën e krahut të punës në vendet europiane është plakja e popullsisë. Sipas ILO-s, emigrantët po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në tregun e punës në shtetet europiane, veçanërisht ne vendet me të ardhura më të larta.
Për ekonominë dhe zhvillimin ata janë “të domosdoshëm”, konstatohet në raportin e fundit. Në Europën veriore, jugore dhe perëndimore kuota e të punësuarve migrantë në periudhën 2013 dhe 2022 nga 22,5 përqind është rritur në 23,3 përqind. Si emigrantë konsiderohen të gjithë njerëzit, që punojnë në një vend tjetër dhe jo në atdheun e tyre.
“Emigrantët e punës janë të domosdoshëm, për të përballuar mungesën e krahut të punës në mbarë botën dhe për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik”, tha drejtori i përgjithshëm i ILO-së Gilbert F. Houngbo.
ILO në këtë grup përfshin si njerëzit në marrëdhënie pune, ashtu edhe emigrantët, që punojnë pa dokumentacion të rregullt në vendin ku kanë emigruar.
Niveli më i lartë i punësimit të tyre rezulton në sektorin e shërbimeve, ku janë të punësuar tre të katërtat e personave që kanë gjetur punë në Europë si emigrantë.
Në krahasimin global kuota e emigrantëve në raport me popullsinë në marrëdhënie pune në Europë si dhe në Amerikën e Veriut dhe në shtetet arabe është mjaft e lartë.
Top Channel