Largimi i al-Assadit nga Siria, festë edhe në Athinë: Diktatori u arratis, mbaroi!

08/12/2024 19:22

Qindra sirianë që jetojnë në Athinë u mblodhën pasditen e së dielës në sheshin Syntagma para parlamentit për të festuar rënien e regjimit të Asadit.

Duke mbajtur flamuj me ngjyrat e revolucionit ,por edhe flamujt e Palestinës disa prej tyre, ata hidhnin parulla përkrahje për rebelët që morën Damaskun dhe qytetet e tjera.

Shumica e demonstruesve ishin burra ,por  kishte të pranishme edhe disa gra me shami në kokë.  Ndërkohë , makinat me flamujt e revolucionit sirian lëviznin rreth sheshit Sintagma, duke i rënë borive.

Më herët flamuri i opozitës siriane është shpalosur mbi ndërtesën e ambasadës së Sirisë  në Athinë, disa orë pasi rebelët e udhëhequr nga islamistët deklaruan se kishin marrë Damaskun, duke i dhënë fund sundimit të presidentit al-Assad.

“Diktatori u arratis, mbaroi. Duam apo s’duam duhet të shikojmë përpara për të ardhmen e këtij vendi”, thotë Maarouf Alompeint, kardiolog sirian që jeton në Greqi.

“24 milionë sirianë sot, nuk kemi fjetur gjithë natën. Prisnim momentin kur diktatori i madh do të largohej.”, thotë Nader Halbouni, sirian që jeton në Greqi.

Ndërkohë Greqia ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Siri pasi përreth Alepos jeton një komunitet i madh prej 5000 grekësh ortodoksë dhe 8500 greqishtfolës myslimanë.

Edhe pse në Damask ka një klimë euforie, ambasadori grek në Siri, Nikolaos Protonotarios, raporton se që nga hyrja e rebelëve në qytet, të shtënat dhe plaçkitjet e ndërtesave ,mes tyre edhe ambasadave e dyqaneve, nuk kanë të ndalur.

Ai ka deklaruar se do të largohet nga Damasku në orët e ardhshme bashkë me diplomatë të shteteve të tjera , duke shtuar se nuk ka pasur deri tani asnjë kërkesë nga grekët sirianë për riatdhesim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA