IDU rezolutë për burgosjen e liderëve të opozitës në Shqipëri, i pranishëm edhe Basha. Ish-kreu i PD për Top Channel: Sa isha unë nuk u miratua asnjë dokument

08/12/2024 13:30

Unioni Internacional Demokratik (IDU) i përbërë nga 84 organizata nga 65 shtete të botës, ka miratuar me votë unanime rezolutën që kërkon reforma të rëndësishme për forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Anëtarët kryesorë të IDU-së janë Partia Republikane Amerikane dhe konservatorët britanikë.

Kërkesat e IDU-së për Shqipërinë përfshijnë ndalimin e persekutimit politik kundër udhëheqësve të opozitës, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të hapur për fushata pa frikë nga ndjekjet politike.

“DUKE QENË SE, pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR, shumica socialiste nën drejtimin e Kryeministrit Rama ka dështuar të adresojë abuzimet elektorale dhe ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme kushtetutën për të dobësuar opozitën. Me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2025, persekutimi politik po përshkallëzohet, i shoqëruar nga gjyqe të motivuara politikisht, arrestime dhe burgosje të udhëheqësve të opozitës si Prof. Dr. Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Ervin Salianji dhe Fredi Beleri”, thuhet në rezolutën e IDU-së.

Në mbledhjen e këtij forumi politik në SHBA ka marrë pjesë edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

I kontaktuar nga Top Channel ai thotë se gjatë kohës që ka marrë pjesë në punimet e IDU-së, nuk është diskutuar asgjë për këtë rezolutë.

“Kur kam qenë unë në punime as nuk është diskutuar as miratuar asnjë rezolutë. Se çfarë ka ndodhur në raste të tjera unë nuk e di”, thotë Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA