Dita Kombëtare e Rinisë, Spiropali: Ecim duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe idhujt e rremë të tranzicionit

08/12/2024 10:44

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka bërë një reagim për Ditën Kombëtare të Rinisë, e cila është simbol i demokracisë së vendit.

Ajo shkruan se 8 dhjetori simbolizon pasionin e të rinjve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi.

Spiropali vuri në dukje se ‘jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030’.

8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si një faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale.

Ajo thirrje e brendshme që buçiste së jashtmi, “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”, ishte më e fortë se çdo parrullë, kongres, anti-miting, ishte, mbi të gjitha, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë përdhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.

Sot ecim më shpejt dhe jemi më pranë se kurrë Shqipërisë së ëndërrimtarëve dhe luftëtarëve të dhjetorit, në një proces intensiv negociatash, me objektivin e qartë Shqipëria në BE brenda vitit 2030.

Ecim drejt kësaj ëndrre, tashmë një realitet i prekshëm, duke lënë pas fantazmat e komunizmit dhe shëmbëlltyrat e këqija të tyre, idhujt e rremë të tranzicionit, bartësit e gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, minuesit e bashkëjetesës, të bashkuar në aspiratën tonë madhore!”, thuhet në reagimin e Spiropalit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA