Një ngjarje tronditëse është zbuluar një ditë më parë në Ambelokipi të Athinës, ku një 33-vjeçare shqiptare u vra nga bashkëshorti i saj me të cilin kishte kaluar më shumë se 11 vite bashkë, dhe në jetë kishin sjellë dy fëmijë.
Ishte vetë autori i krimit, Kastriot Cenko i cili telefonoi ditën e djeshme policinë duke u thënë se ka vrarë Albën që prej së enjtes, dhe se trupin e ka fshehur në papafingon e banesës ku jetonin.
Para efektivëve ai ka pretenduar se krimin e ka kryer pasi kishte dyshime se gruaja e tradhtonte me shokun e tij të ngushtë, dhe se e ka dëgjuar që të flasë në telefon.
Ka qenë ky moment sipas tij, kur ai ka marrë një çekiç dhe e ka qëlluar e më pas e ka mbytur me duar. Ndërsa në dhomën ngjitur flinin dy djemtë e tyre të mitur, 39-vjeçari pas krimit mendonte skenarin e zhdukjes së trupit. Fillimisht ai e ka mbledhur me një çarçaf dhe e ka futur në dhomë. Ditën tjetër pasi fëmijët kanë ikur në shkollë, e ka mbledhur edhe me disa qese dhe e dërguar në pjesën e papafingos së ndërtesës ku banonin.
Veprimet e marra më pas, sërish i përkisnin një skenari të zi, ku ai u shkruante familjarëve të së ndjerës me numrin e saj të telefonit, duke u thënë se po largohet drejt Italisë, dhe që të mos e kërkonin, e aq më pak ta denonconin.
Por duket se skenari, i menduar e përpunuar për 7 ditë, për të fshehur këtë krim monstruoz nuk doli sipas asaj që ai kishte menduar, duke u detyruar që të pranojë dhe të rrëfejë vrasjen.
Ky ishte një tjetër lajm i trishtë ku në qendër nxjerr edhe një herë vrasjen brutale të grave nga ata që supozohej ti donin e mbronin, nga bashkëshortët apo partnerët e tyre… Të shumtë janë rastet tragjike, por pas zbulimit të detajeve të vrasjes së Albës, ajo që të vjen në mendje është vrasja e 20-vjeçares Caroline nga bashkëshorti i saj, piloti monstër Babis, ngjarje e ndodhur në Greqi.
Të dyja ato u vranë nga burrat e tyre, njëra me vajzën pranë shtratit, e tjetra me dy djemtë pak metra larg, në dhomën ngjitur.
Edhe një herë skenari i Babis, për fat të keq merret shembull… ndërsa më herët këtë tragjedi e pamë të ndodhte edhe në Kosovë, me vrasjen e Liridonës!
Top Channel