Policia e Kosovës ka zbuluar rrugën që ndoqën autorët e sulmit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, të cilët vendosën aty 20 kg  eksploziv.

Zona e thellë e fshatit Varagë ku ndodhi sulmi terrorist vazhdon të mbahet nën vëzhgim nga forcat e rendit. Policia pohoi për mediat vendase se janë duke intervistuar dhe hetuar edhe persona të tjerë për ngjarjen, teksa kanë zbuluar shenja këmbësh që tregojnë se agresorët kanë ndjekur një rrugë dytësore. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, dy vëllezërit, Dragisha dhe Jovan Vicentijevi janë personat kryesorë të dyshuar për rastin e Ibër-Lepencit.

Shpërthimi javën e kaluar, në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës – i cili furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit – shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale. Për pasojë, furnizimi i rregullt me ujë dhe energji elektrike u ndërpre për disa kohë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për këtë sulm, duke thënë se qëllim kishte t’i shkaktonte dëme të pariparueshme infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, mohoi çdolloj përgjegjësie dhe e dënoi sulmin. Kosova ka Ligjin për infrastrukturën kritike që nga viti 2018. Qëllimi i tij është “ta ruajë dhe mbrojë infrastrukturën kritike kombëtare dhe europiane, t’i mbrojë qytetarët e Republikës së Kosovës, t’i parandalojë incidentet dhe ta minimizojë dëmin potencial në këtë infrastrukturë”.

Më 27 nëntor, vetëm dy ditë para sulmit në Ibër-Lepenc, Qeveria e Kosovës kishte miratuar disa ndryshime në ligj, duke i shkrirë disa sektorë të infrastrukturës kritike në një.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA