Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me prindërit dhe mësuesit në shkollën “Halit Coka”, në Kamëz në kuadër të diskutimit për kufizimin e rrjeteve sociale si TikTok tha se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani u përdor “në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik”.
Sipas kreu të qeverisë, me këtë ngjarje u abuzua ndaj prindërve, duke sajuar histori dhe vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër.
Ai thekson se nuk ka një autor të dytë në vrasjen e të miturit dhe se këtë e provon videoja nga vendngjarja.
“Dy vrasje që kanë ndodhur, ajo e Pogradecit dhe kjo e 14-vjeçarit që ishte një tragjedi shumë e madhe, janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video.
Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata, kur vetvetiu, njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje, nga ku, për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakti.
Dhe në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTok-ut, është edhe gjithë çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nxitet nga nevoja për të pasur sa më shumë audiencë dhe për ta përdorur me netë të tëra, me ditë të tëra shqetësimin që krijohet vetvetiu tek prindërit për t’i mbajtur ata mbas ekranit, duke iu treguar historira.
Megjithatë, kjo është një pjesë se nuk besoj se kemi ndonjë shans që ta rregullojmë për sa kohë sa politika do jetë kjo që është dhe për sa kohë kundërshtia politike do të jetë kjo që është, dhe për sa kohë politika dhe Kuvendi i Shqipërisë do të jenë në top listë të burimeve të gjuhës së shpifjes, së urrejtjes të helmit, gjithsesi kjo është një bisedë, ku patjetër është shumë e rëndësishme që t’u dëgjojmë edhe ju”, tha kryeministri.
Top Channel