Palestinezët mblidhen në fshatrat historikë në veri të Izraelit për të shënuar 76 vjetorin e ‘Nakba-s’ (fotot)

14/05/2024 19:38

Mijëra palestinezë qytetarë izraelitë, morën pjesë sot në marshime për të shënuar 76 vjetorin e “Katastrofës” e njohur në vend si ‘Nakba’. Protestuesit marshuan në rrënojat e fshatrave të dikurshme palestineze, nga ku mijëra njerëz u dëbuan gjatë vitit 1948 në luftën që solli krijimin e Izraelit.

Mijëra flamurë palestinezë valëviteshin sot në veri të Izraelit në kujtim të dëbimeve të detyruara dhe për të kërkuar të drejtën e kthimit të refugjatëve.

Shumë prej demonstruesve në Haifa kërkonin fundin e luftës në Gaza teksa ecnin në marshimin e përvitshëm. Eventi ishte nga demonstratat e pakta të lejuara palestineze në Izrael teksa lufta brutale në Gaza vijon.

Në pamjet e publikuara shiheshin banorë e familjarë duke ecur në rrugët rurale të dheut, duek bërë thirrje për liri të palestinezëve nga pushtimi izraelit.

“Kjo është pjesë e përpjekjes për liri,” tha aktivistja Fidaa Shehadeh. “Nuk është për t’i dhënë fund pushtimit por për të lejuar refugjatët palestinezë të kthehen në tokën e tyre”, shtoi ajo.

Të paktën 700,000 palestinezë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre gjatë luftës së vitit 1948. Shehadeh thotë se familja e saj e madhe u dëbua nga shtëpia në fshatin bregdetar të Majdal Asqalan, disa prej të cilëve shkuan në Lydd që më vonë u bë Izrael, dhe të tjerë shkuan në Gaza. Ajo e konsideron vetën ende një ‘refugjatë e brendshme’.

Shehadeh thotë se ka tezet e xhaxhallarët në Gaza, të cilët herën e fundit i ka vizituar në 2008 kur iu dha leja nga Izraeli, ndërsa tani ata janë përsëri të zhvendosur për t’i shpëtuar bombardimeve izraelite, shkruan agjencia Reuters.

Arabët llogaritet se përbëjnë rreth një të pestën e popullsisë së Izraelit. Çdo vit ata mblidhen për marshimin që viziton fshatrat e shkatërruar apo depopulluar nga militantët hebrej.

FOTO GALERI
1/3
Protestuesit marshuan në rrënojat e fshatrave të dikurshme palestineze, nga ku mijëra njerëz u dëbuan gjatë vitit 1948 në luftën që solli krijimin e Izraelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA