“Udhëtim të mbarë ëngjëll i vogël, ruaje nënën tënde nga atje lart”; komuniteti i Viterbos në Itali është solidarizuar me familjen e 10 vjeçarit Matias, i cili u vra mizorisht nga babai i tij polak, Mirko Tonkov.
Banorët e zonës ku vogëlushi jetonte me të ëmën e tij shqiptare, janë thellësisht të shokuar nga humbja e tij. Me dhjetëra mesazhe janë lënë përpara portës së shtëpisë.
“Do të mbetesh në zemrat tona”, shkruante një prej tyre.
“Pas syzeve, ato sytë e tij përcillnin një ëmbëlsi aq të madhe”, thoshte një tjetër.
Hetimet po zbardhin pak e nga pak detaje të ngjarjes makabre.
Një fqinjë rrëfeu se dëgjoi zhurmë nëpër shkallë dhe ulërimat e Mirkos që bërtiti: Matias, hajde këtu!
“U afrova te dera dhe thashë me vete se po të ishte e nevojshme, do ta merrja ta fusja brenda” u shpreh ajo.
Gruaja shtoi se vogëlushi kishte qenë përherë mjaft i bindur e siç duket është kthyer mbrapsht tek i ati.
Mësohet se përpara se ta godiste me thikë, babai 44-vjeçar i ka mbuluar fëmijës hundën dhe gojën me ngjitëse.
Top Channel